Secondary Adv

Paga mesatare në Shqipëri arrin 90 mijë lekë, ndërtimi kryeson për rritjen e pagave

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 90.119 lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 9.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se sektori i ndërtimit ka regjistruar rritjen më të fortë të pagave në ekonomi. Sipas statistikave zyrtare, aktivitetet me nivelin më të lartë të pagave vijojnë të jenë sektori financiar dhe ai i teknologjisë së informacionit. Në aktivitetet financiare dhe të sigurimit paga mesatare mujore arriti në 157.434 lekë, ndërsa në sektorin e informacionit dhe komunikacionit në 131.747 lekë, duke mbetur dukshëm mbi mesataren kombëtare.

 

Rritja më e madhe vjetore e pagave u regjistrua në aktivitetin e ndërtimit, me 22.2 për qind, duke reflektuar kërkesën e lartë për fuqi punëtore dhe zgjerimin e vazhdueshëm të investimeve në këtë sektor. Në krahun tjetër, rritja më e ulët u shënua në aktivitetet e arteve, argëtimit, çlodhjes dhe shërbimeve të tjera, me vetëm 5.5 për qind.

 

Menaxherët dhe profesionistët mbeten më të paguarit

Nga këndvështrimi i profesioneve, grupi me pagat më të larta përbëhet nga menaxherët, ligjvënësit dhe drejtuesit ekzekutivë, me një pagë mesatare prej 136.213 lekësh në muaj. Pas tyre renditen specialistët me arsim të lartë dhe profesionistët, me një pagë mesatare prej 116.074 lekësh.

 

Megjithatë, ritmet më të larta të rritjes së pagave janë regjistruar te profesionet e lidhura me zejtarët dhe artizanët, ku paga mesatare u rrit me 15.7 për qind. Pas tyre renditen profesionet elementare, me një rritje prej 15.3 për qind, duke treguar një presion në rritje për pagat edhe në segmentet me kualifikim më të ulët të tregut të punës.

 

Rritet numri i punonjësve me pagë minimale

INSTAT vëren se shpërndarja e punonjësve sipas nivelit të pagës po bëhet gjithnjë e më e përqendruar në skajet e intervaleve të pagave. Nga njëra anë është rritur numri i të punësuarve me paga të larta, ndërsa nga ana tjetër është zgjeruar edhe grupi i punonjësve që paguhen me pagën minimale.

 

Kjo e fundit lidhet drejtpërdrejt me vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2026. Si rezultat, një numër i konsiderueshëm punonjësish janë pozicionuar në nivelin e ri minimal të pagës.

 

Të dhënat tregojnë se tregu i punës po vijon të karakterizohet nga rritje e përgjithshme e pagave, e mbështetur nga mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik dhe konkurrenca më e fortë e bizneseve për të tërhequr dhe mbajtur punonjësit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat